Ka një moment dhe një statistikë që tregojnë sesa keq është katandisur Reali i Madridit. Momenti ishte ai i zëvendësimit të Kristiano Ronaldos në ndeshjen në fushën e Levantes, me njërën nga kamerat televizive të fiksuar gjatë gjithë kohës tek fituesi i Topit të Artë në fuqi. Me t’u ulur në stol, portugezi vuri re kamerën dhe nuk mundi të duronte.
“Drejtoje kamerën nga ndeshja, – i thirri ai kameramanit, – nuk ke arsye të më filmosh mua. Filmo ndeshjen”. E gjitha kjo u shoqërua me lëvizje të duarve dhe të gishtave. Duket se nervat e kanë lënë CR7-ën që ka ambicien për të marrë rrogën më të lartë të botës së futbollit, por që nuk po arrin të përfundojë as ndeshjet në fushën e lojës.
Statistika që dënon skuadrën e Zidanit është ajo e diferencës në renditje nga Barcelona. Kurrë ndonjëherë në histori, Reali nuk ka qenë kaq pikë larg “blaugranëve”, ndërsa ka ndodhur vetëm një herë që të kenë qenë kaq larg nga Atletiko. Zidan vazhdon t’i besojë të njëjtit formacion, atij me të cilin fitoi Championsin, La Ligën, dy superkupat dhe Kupën e Botës për klubet, por që tani nuk po i përgjigjet.
Sfidanti.al