Prag Roma-Juventus, klasikja e Serisë A ndez stadiumin “Olimpiko”!

Nuk pritet të prishë shumë punë që u luajt mbrëmë në këtë stadium. “Olimpiko” do të presë ndeshjen e dytë në dy ditë, sërish në nivel të lartë, pasi flitet për Romën ndaj Juventusit. Edhe pse kryeqytetasit vijnë nga humbja me Torinon, sërish ata e dinë se dëshira e tifozëve është dhënia e maksimumit ndaj “Zonjës së Vjetër” dhe fitorja e kësaj klasikeje të futbollit italian. Jo vetëm kaq, por Roma do të luajë për veten, jo thjesht për të prishur punë, pasi synimi i saj është kualifikimi për në Champions, në konkurrencë me Atalantën dhe të tjerë. Verdhekuqtë do të kenë mungesa pasi të dëmtuar janë Xapakosta, Pastore, Santon, Kluivert dhe Mkitarian.

“Kjo skuadër ka luajtur gjithnjë mirë ndaj çdo kundërshtari, – u shpreh me besim trajneri Fonseka, – e vërtetë që kemi humbur me ekipe si Atalanta apo Parma, por kemi pasur kurajë. Jam më i shqetësuar kur luajmë ndaj një rivali në letër më të dobët, sesa ndaj më të fortëve. Problemi i Romës sot është mentaliteti, është çështë ambicieje. Duhet të kemi më shumë dëshirë që të fitojmë, që të jemi të parët, pranë Juves dhe të tjerëve, apo të shkojmë në Champions. Shpresoj që këtë herë të jetë ndryshe, dhe padyshim do të luajmë për të fituar”.

Juventusi lufton për titullin e dimrit, duke pasur 45 pikë ndaj 46 të Interit, ndonëse objektivat janë shumë më të mëdha. Pas momenteve të vështira në vjeshtë, duket se skuadra e trajnerit Mauricio Sarri ka arritur formën maksimale, siç e tregoi në fitoren 4-0 ndaj Kaljarit. Mbi të gjithë Kristiano Ronaldo, autor i tregolëshit të parë me fanelën bardhezi. Sarri, gjithsesi, nuk pritet të luajë me treshen e sulmit, dhe Higuain besohet të jetë në stol. Mungesat për kampionët janë tre, Betankur i pezulluar dhe Kielini e Kedira të dëmtuar.

“Është një ndeshje e vështirë, dhe duhet të luajmë në nivel të lartë nga fillimi deri në fund, – ishin fjalët e Sarrit, – na ka ndodhur shpesh që të mos ishim në maksimum gjatë gjithë kohës, por jemi përmirësuar, siç e treguam ndaj Kaljarit. Natyrisht, ndaj Romës pres që të jetë shumë më e vështirë. Respektoj Romën, respektoj shumë kolegun tim, trajnerin Fonseka që po jep një lojë të nivelit të lartë. Nuk mund të flas sesi do ta luajmë ndeshjen, por do të bëjmë maksimumin për të fituar. Titulli i dimrit është i mirë, por ne luajmë për titullin në fund”.

“La Gazeta delo Sport” vlerëson: Roma-Juventus vlen gjysmë titulli kampion! Ronaldo dhe shokët e tij, nëse fitojnë, dalin kampionë të dimrit! Ja edhe “Il Korriere delo Sport”: Juventusi për parakalimin, Roma për Championsin! Sarri heq dorë nga treshja sulmuese, dhe beson sërish tek Demirali!

Roma-Juventus është një klasike dhe të dy klubet i kanë bërë reklamë duke rikujtuar golat e së kaluarës në të. Bilanci total natyrshëm është më i mirë për torinezët, por në “Olimpiko”, Roma mund të bëjë mrekulli me mbështetjen e rreth 60 000 tifozëve.

Sfidanti.al