Do të përcaktohen edhe dy ekipe të tjerë. Luftohet për vendin e dytë në grupet B e C, ndërsa Belgjika e Holanda e kanë siguruar që më parë kualifikimin për në turin e dytë në Euro 2020. Në grupin B, në orën 21:00 janë dy sfidat e fundit, Finlandë-Belgjikë dhe Rusi-Danimarkë Belgjika kryeson grupin me 6 pikë të plota, pra me dy fitore, Finlanda e Rusia kanë nga tri, ndërsa Danimarka nuk ka asnjë pikë. Finlanda mund të shkaktojë një të papritur pasi do të dilte e para në grup në rast fitoreje, ndonëse belgët kanë qenë tepër të fortë deri tani dhe janë favoritë.
Me lojtarë të tillë si Romelu Lukaku, Kevin De Brujn apo Dris Mertens, “djajtë e kuq” janë një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin europian, po aq të vlerësuar sa Franca e Italia, ndoshta diçka më shumë sesa Gjermania apo Anglia. Ndërkaq, nëse Rusia fiton në ndeshjen e saj me Danimarkën, kualifikohet si vendi i dytë në grup nëse finlandezët nuk fitojnë, ndërsa danezët kanë shpresë vetëm nëse fitojnë ndaj rusëve, dhe nëse Belgjika mund Finlandën.
Në grupin C luhet në orën 18:00 dhe ndeshjet janë Maqedoni e Veriut-Holandë e Ukrainë-Austri. Holanda i ka fituar të dyja ndeshjet deri tani, ndërsa sfida Ukrainë-Austri është një plej of për vendin e dytë. Barazimi u bën punë ukrainasve që kanë golaverazh më të mirë, ndërsa austriakët do të duhej të prisnin rezultatin e ndeshjeve të tjera. Holandezët janë favoritë për të fituar edhe ndaj maqedonasve të veriut, të cilët nuk kanë asnjë pikë deri tani. Skuadra e trajnerit Frenk De Bur ka bindur me lojën e saj dhe do të donte të vazhdonte me sukseset, ashtu siç bëri dje Italia. Sulmuesi kryesor, Memfis Depai, duket më i qetë tani që realizoi transferimin e ëndërruar për tek Barcelona.
Sfidanti.al