“Unë nuk ua kam shumë besën gjermanëve, dhe sidomos kur kaloj Elbën nuk më zë gjumi”. Thuhet se këto fjalë i tha Konrad Adenaueri, kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore, dhe kuptohet nuk i tha për të sharë kombin e vet. Adenaueri e kishte fjalën tek traditat e ndryshme gjermane në krahasim me Perëndimin, ndërsa ai synonte që ky realitet të tjetërsohej. Sot mund të themi se në një masë të madhe kjo gjë është bërë.
Viktor Orbani nga ana tjetër nuk po mendon sot si Adenaueri atëherë, dhe nuk besohet se do të jetë shqetësuar shumë nga ofendimet raciste ndaj Kilian Mbapesë e Kristiano Ronaldos, banderolat kundër homoseksualëve apo edhe kundër lojtarëve të ulen në gjunjë në shenjë lufte ndaj racizmit. Një shoqëri si ajo në Hungari “e mëkuar” vetëm me historinë e saj, me ngjyrën e saj të lëkurës, dhe thuajse e izoluar nga kultura e shumëllojshme botërore, është e natyrshme që të prodhojë një reagim të tillë. UEFA ka hapur një hetim pasi Franca protestoi për trajtimin e Mbapesë nga ana e tifozëve në stadiumin e Budapestit, por pak gjë pritet të dalë nga kjo. Europiani do të mbarojë shpejt, dhe “multikulturaliteti” do të jetë sërish larg Hungarisë. Ndoshta, në Budapest mund të kuptohen më lehtë gjermanët apo rusët sesa Kilian Mbape apo Rahim Stërling.
Sfidanti.al