Kovid 19 trondit Europianin, Skocia humbet protagonistin 20-vjeçar, Gilmor!

Frika ishte e madhe, dhe ja ku ndodhi. Njëri nga zbulimet e këtij Europiani, Billi Gilmor i Skocisë, doli pozitiv me koronavirus, duke u detyruar të izolohet menjëherë pas kësaj. Gilmor u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes që Skocia barazoi 0-0 me Anglinë në stadiumin “Uembli” të Londrës, ndërsa mungesa e 20-vjeçarit është e sigurt për sfidën e fundit në grup, atë ndaj Kroacisë. Me vetëm 1 pikë në dy ndeshje, skocezëve u bën punë vetëm fitorja, veçse Gilmor do të detyrohet të izolohet për 10 ditë, dhe mund të humbasë edhe duelin e të tetave të finaleve nëse Skocia kualifikohet.

Një goditje e rëndë për ekipin britanik, por edhe për gjithë turneun e madh, ndërsa frika është se mund të ketë raste të tjerë pozitivë në të ardhmen. Për momentin, të gjithë lojtarët e tjerë skocezë kanë dalë negativë. Po ashtu, negativë edhe të gjithë lojtarët e Anglisë, ndonëse disa prej tyre u përqafuan me Gilmorin në fund të ndeshjes. Lajmi për 20-vjeçarin është pak ironik sepse shqetësimi më i madh ishte për tifozët skocezë, sepse 20 000 prej tyre mësynë Londrën ditën e sfidës, duke thyer të gjitha rregullat e Kovidit. Shpresohet që për ta të mos ketë pasoja dhe ta shijojnë Europianin deri në fund.

Sfidanti.al