Portieri Randolf dhe karakteri shpëtuan Irlandën në Danimarkë

Republika e Irlandës mund të shkojë në një tjetër turne të madh, edhe pse nuk ishte favorite në plej of. Skuadra e drejtuar nga trajneri Martin O’Nill dhe zv. trajneri Roi Kin, mori një barazim të vyer 0-0 në “Parken Stadion” të Kopenhagenit, ndaj Danimarkës vendase, në përballjen e parë. Portieri Darren Randolf bëri dy pritje të mëdha në pjesën e parë, dhe një tjetër të shkëlqyer në minutën e fundit të takimit, duke mos lejuar prekjen e rrjetës, ndërsa epërsinë teknike të danezëve, irlandezët e përballuan duke dhënë shpirtin në fushë.

Danimarka pati disa lojtarë shumë të mirë në fushë si portierin Shmajkel, pastaj Eriksenin, Jorgensenin, Jusuf Poulsenin, Kjerin, Larsenin apo Bentnerin, veçse gol nuk shënoi dot. Plot 3 000 tifozë irlandezë u ndjenë gjatë gjithë përballjes duke kënduar fort në favor të ekipit të tyre, që pati shumë nevojë për ta. Gjithsesi, trajneri danez, Age Hareide, u shpreh para ndeshjes se edhe barazimi 0-0 do të ishte rezultat shumë i mirë, ndërsa tani gjithçka do të vendoset në stadiumin “Aviva” të Dublinit.

Sfidanti.al