Yjeve të vjetër si Paul Van Himst dhe Bernard Vorhof iu desh një jetë që t’i vendosnin, por pasardhësi i tyre i sotëm pati nevojë vetëm për pak vjet. Romelu Lukaku arriti në 30 gola me kombëtaren e Belgjikës, baraz me rekordin e mbajtur nga Van Himst e Vorhof, ndonëse është vetëm 24 vjeç, dhe përpara vetes ka edhe të paktën 8 vite të tjerë aktivë me “djajtë e kuq”.
Belgjika barazoi 3-3 me Meksikën në Bruksel, një miqësore e nivelit të lartë, dhe Lukaku realizoi dy gola. Sulmuesi i Mançester Junajtid la pas një kohë të vështirë në klubin e tij të Premier Ligës, për të shkëlqyer me përfaqësuesen. Potenciali i tij padyshim është i madh, dhe për këtë arsye trajneri Zhoze Murinjo u ka kërkuar tifozëve që ta mbështesin.
Ndaj Meksikës, belgët patën 3 mungesa të mëdha në mbrojtje, dhe kjo u ndje. Pavarësisht se shënuan Eden Hazar dhe Lukaku, meksikanët u përgjigjën, madje edhe kaluan në epërsi të përkohshme 3-2. Guardado barazoi së pari, ndërsa më pas erdhën dy gola nga Lozano. U desh Lukaku që të barazonte për 3-3 në minutën e 70-të.
Sfidanti.al