Dikur Geri Lineker tha se “futbolli është një lojë që luhet me 11 vetë dhe që në fund e fitojnë gjermanët”. Nja tri dekada më vonë, një tjetër anglez, Stiven Xherrard, formuloi fjalinë tipike të radhës për “teutonët”: “Brazili ka Nejmarin, Argjentina ka Mesin, Portugalia ka Ronaldon, Gjermania ka skuadrën”. E vërteta është se ato fjalë u shkruan në një profil rrjeti social me emrin e Xherrardit, jo nga Xherrardi, por kjo nuk pati asnjë rëndësi, pasi kjo ishte e vërteta.
Gjermania fitoi Kupën e Botës në 2014 në Brazil, duke pasur shumë lojtarë të mirë, por jo Mesi, Ronaldo apo Nejmar. Manuel Nojer, Filip Lahm, Bastian Shvajnshtajger apo Tomas Myler ishin që të gjithë shumë të mirë, por jo superyje futbolli (me përjashtim të portierit). Gjithsesi, formacioni i Joakim Lëvit jo vetëm nuk tregoi asnjë shenjë inferioriteti, por përkundrazi, dominoi mbi rivalët duke fituar Kupën e FIFA-s.
Kupa e Konfederatave në Rusi tregoi sesa forca rezervë ka ky vend, pasi në kombëtare luajti një brez tjetër, jo ai që triumfoi në Brazil. Që nga viti 2006, gjermanët kanë arritur deri në gjysmëfinale në çdo turne të madh, diçka që nuk ka mundur ta bëjë askush tjetër. Pas krizës së vitit 2000, gjithçka ka ndryshuar dhe investimi tek të rinjtë është më i madh se në vendet e tjera. Gjithnjë, me parimin e njëjtë, atë të organizimit dhe të lojës kolektive. Jo më kot, Berti Fogtsi theksoi pas fitores në Euro 96, “skuadra është ylli”.
Sfidanti.al