Shoqëria që menaxhon të drejtat e Superligës së Europës, njoftoi pak ditë më parë se tashmë e ka besimin e 20 skuadrave për të nisur me sezonin e parë të këtij kompeticioni. Në deklaratën e përfaqësuesve të këtij formati, nuk u zbuluan emra për të mos kompromentuar garën e tyre në kampionatet e këtij sezoni, por le të hamendësojmë një moment se në këtë listë bëjnë pjesë edhe skuadra shqiptare, hipotezë kjo pothuajse utopike. FSHF ka shpërndarë gjatë orëve të fundit një lajm se Shqipëria ka fituar pozicione të rëndësishme, plot 25 në renditjen e një federate të panjohur ndërkombëtarisht. IFFHS ose Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll, një insttucion i pacertifikuar nga UEFA apo FIFA, citon se Kampionati shqiptar i futbollit “Abissnet Superiore” renditet i 41-ti në klasifikimin e IFFHS për vitin 2023.
Në këtë optikë, me këtë rritje të pabesueshme në IFFHS, një ftesë ndaj Tiranës apo Partizanit nga Superliga e Europës, do të bënte sens dhe nëse e marrim si të mirëqenë një gjë të tillë, cili është pozicioni që do të mbante FSHF? A do ta cilësonte arritje apo kërcënim e dështim siç e ka etiketuar Superligën…e Europës e jo atë shqiptare? Një ëndërr e bukur që në çdo skenar do të prishte rehatinë e selisë kryesore të futbollit shqiptar e cila gjithsesi bën mirë të zgjohet nga gjumi sepse për ta ky mund të jetë vetëm një “mankth” edhe pse për futbolldashësit nuk do të ishte domosdomshmërisht një e keqe e madhe.
sfidanti.al