Së fundi disa na kanë shpikur një njësi të re matëse për kënaqësinë që të jep futbolli dhe në një farë mënyre ia kanë arritur qëllimit. Ky sport në Shqipëri po vlerësohet me oratori, me fjalë të tjera, se sa rrjedhshëm i thua broçkullat që nxjerr nga goja, ndërkohë që publiku ka filluar të besojë, se një mrekulli edhe të ndodhë përsëri. Dikush mendon se ka aftësinë unike të lexojë tabelat e rezultateve dhe klasifikimit, si të ishin me alfabet mors, ndërsa ne na duhet që vit për vit të manipulohemi, si të jemi parashkollor, ende në gërmat e para të alfabetit.
Sezonin e kaluar u trumbetua pa asnjë pikë ndroje, se i yni është ndoshta kampionati më i mirë në rajon, për hir të klasifikimit të ngjeshur, që pothuajse nuk u hap asnjëherë, deri në fund të kampionatit. Ndërsa tani na ka filluar një kampionat edhe më i fortë, pasi nuk fiton dot asnjë. Në 10 ndeshjet e dy javëve të fundit, 9 prej kanë përfunduar në barazim, gjë që për deshifruesit tanë të mrekullive është thjesht një perfeksion. Ndërsa pasqyra e vërtetë janë kupat e Europës, kur entuziazmohemi nëse kalojmë ndonjë tur, ndërsa njerëzit e mediave bëjnë me sforco llogaritanin, duke mbledhur paratë e dhuruara nga UEFA për klubet. Mjafton të kujtojmë Skënderbeun e viteve të arta, për t’u bindur se tashmë po bëjmë një regres epik për nga cilësia, një ngërç që nuk mund të fshihet nga altoparlantët e FSHF-së. Futbolli ynë vuan nga i njëjti informalitet, mungesa e infrastrukturës, e projekteve afatgjata. Fëmijët nuk trajtohen si ardhmja, por bij prindërish që duhen zhvatur… Dhe ne nuk mund të jemi më Skënderbeu i athershëm, e aq më pak Sherifi i tanishëm i Moldavisë.