Ish-kapiteni u largua “me ceremoni” dy vjet më parë kur mbërriti Antonio Konte. Konflikti kishte nisur me ish-trajnerin Luçiano Spaleti që i hoqi shiritin dhe e përjashtoi, ndërsa beteja u bë e ashpër me agjenten e tij Uanda Narën. Gjithsesi, ardhja e Kontes i vuri vulën largimit të sulmuesit argjentinas, dhe Interi u tregua shumë i zoti që arriti ta huazonte fillimisht dhe pastaj t’ia shiste kartonin tek Paris SG për 70 milionë euro. Kjo është lëvizje! Të marrësh 70 milionë euro nga largimi i një “trazovaçi” dhe pastaj të fitosh titullin. Drejtuesi i lartë interist, Bepe Marota, nuk ka dyshime. “Thelbësore për projektin tonë dhe për titullin ishte shitja e Ikardit, – shprehet ai, – krijonte tepër shumë probleme”. PSG me siguri është penduar që shpenzoi 70 milionë euro për sulmuesin pasi ai mbetet “violinë e dytë” e Mbapesë dhe Nejmarit, ndërsa tek Interi ngrenë “dolli”. Ja pra, Ikardi paska qenë shkaku kryesor që Interi (nuk) doli kampion.
Sfidanti.al