Partizani është skuadra më e kompletuar e Superiores. Të kuqtë kanë një organikë plot yje që i jep mundësinë trajnerit Orges Shehi të zgjedhe mes shumë alternativave që nga porta deri në majën e sulmit. Mirëpo, për klubin është një mbingarkesë dhe lojtarët sigurisht kërkojnë minutat e tyre. Kur nuk ka mundësi për aktivizim, zgjidhja që përdoret shpesh është huazimi. Kështu do të ndodhë me dy nga lojtarët e ‘Demave’. Burime të sigurta pranë klubit të kuq bëjnë me dije ekskluzivisht për Newsport.al se Christian Mba dhe Marçelino Preka do të huazohen te Teuta për pjesën e mbetur të sezonit. Minutat kanë qenë të pakta për ta teksa kanë kaluar edhe dëmtime të gjata. Tani janë rikthyer në stërvitje, por për të rigjetur formën e mirë klubi ka menduar t’i huazojë diku ku të kenë hapsirën e nevojshme.
Partizani shpenzoi plot 240 mijë euro për t’i transferuar të dy, ndërsa për Teutën është një lëvizje afatshkurtër por mëse e nevojshme duke parë situatën ku ndodhet ekipi. Një mbrojtës i talentuar për të rregulluar problemet në prapavijë dhe një supersulmues për të shënuar golat e munguar, kjo është ajo që do Edi Martini.
sfidanti.al