Besnik Hasi kthehet në “idhull” në Belgjikë

Besnik Hasi po kthehet në “idhull”. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, po shkëlqen në rolin e trajnerit, që aktualisht si profesion po e ushtron në Belgjikë. Hasi është në drejtimin e ekipit të KV Mechelen që prej 8 nëntorit të vitit të shkuar. Në nëntor të 2023-shit, tekniku shqiptar mori në dorë “frenat” e një ekipi pa krye. Edhe pse në elitën e futbollit belg, KV Mechelen nuk po e shijonte siç duhet, madje nuk mund të quhej një ekip elite. Të paktën kjo e fundit ndodhi deri në momentin që në pankinë u ul Besnik Hasi. 52-vjeçari ka bërë një nisje fantastike, për të mos thënë perfekte sepse gjithmonë ka vend për përmirësim.

Para se rolin e trajnerit ta merrte shqiptari, KV Mechelen kishte grumbulluar vetëm 12 pikë, në 14 ndeshje. Ndërsa me Hasin në krye, ekipi belg është ngjitur nga vendi i 13-të në tabelën e klasifikimit në atë të 9-të. Mund të duken vetëm 4 vende të fituara, por nga pikët e lartpërmendura, me rezultatet e marra nga Hasi mund të themi se ndryshimi është si nata me ditën.

Që në momentin që Besniku u ul në pankinën e KV Mechelen e deri më sot, kanë zhvilluar 8 ndeshje në kampionat. Dhe në këto ndeshje ka grumbulluar plot 13 pikë, të cilat nuk mund të duken shumë, por duke parë pozitat dhe “frymën” jo të duhur që ekipi kishte, me ardhjen e Hasit duket se gjithçka ka ndryshuar. KV Mechelen i ka marrë barazimin Club Brugge, duke nxjerrë pikë nga hiçi përballë një kundërshtari të kalibrit europian. Ndërsa pikërisht një tjetër pretendenti vetëm dy ditë më parë, Hasi dhe KV Mechelen morën një super fitore, duke mposhtur gjigantin e Gent me rezultatin 1-2.

Është shumë shpejt, por mesatarja e pikëve që Hasi ka marrë deri më tani me ekipin belg zë vendin e tretë në statistikat e tij si trajner. Në vend të parë është Olympiacos ku mesatarja e pikëve është 1.91, në vendin e dytë është Anderlecht me 1.85 pikë, ndërsa mesatarja 1.43 e arritur së fundmi me Mechelen zë vendin e tretë. Pra Besnik Hasi beson edhe te kualifikimi i ekipit në një kompeticion europian, duke parë që Conference League është një arritje mjaft objektive. Me 25 pikë të grumbulluara deri më tani, Europa nuk është më një mision i pamundur për lojtarët dhe tifozët e KV Mechelen që tashmë kanë një idhull të ri.

sfidanti.al