Sulmuesi italian Mario Balotelli mund të rikthehet sërish në Serie A në merkaton e janarit. 33-vjeçari aktualisht luan në Turqi me Adana Demirspor, me të cilin ka një kontratë deri në vitin 2025. Balotelli nuk luan që nga mesi i nëntorit për shkak të dëmtimit, që e detyroi t’i nënshtrohej një operacioni në gju pas 3 golave në pesë paraqitjet e tij këtë sezon në Superligën turke. Menaxheri i lojtarit ia propozoi transferimin skuadrës së Salernitanës, e cila tregoi interes. “Ekziston kjo mundësi, por është shumë herët për të folur për negociata. Të shohim”, kanë cituar burime brenda klubit të Salernitanës. Ndërkohë që vetë lojtari është ofruar të rikthehet pa pretenduar shumë financiarisht. Dëshira e Balotellit për t’u rikthyer të luajë në Serinë A nuk është sekret. Ai u ishte ofruar edhe Empolit e Udineses, por për momentin vetëm Salernitana nuk ia ka mbyllur derën rikthimit, ende pa nisur negociatat me lojtarin ose me klubin ku ai bën pjesë. Situata është e qartë dhe nëse do të vazhdonte, një kontratë vetëm 6-mujore do të ishte gati për sulmuesin me një pagë më të ulët se ajo aktuale për 33-vjeçarin që i mungon Seria A që nga viti 2020 kur mbante fanellën e Brescias.
sfidanti.al