Partizani – Vllaznia është dueli i ditës premte që do të luhet në “Arenën e Demave” duke nisur që nga ora 17:00. Një përballje mjaft e luftuar që vë përballë dy ekipet pretendente për titullin kampion. Kryeqytetasit në këtë sfidë vijnë të enditur poshtë shkodranëve, teksa 1 pikë i ndan në tabelën e klasifikimit. Të kuqtë kanë nisur punën për këtë takim, i cili është shumë i rëndësishëm për moralin e skuadrës, e cila synon edhe rikthimin te fitorja në kampionat. Nuk do të jetë aspak e lehtë për Aleksandar Veselinovic, i cili do të ketë mungesa të rëndësishme. Hadroj dhe Kote vazhdojnë të mungojnë për shkak dëmtimi. I pari praktikisht e ka mbylur me Partizanin, pasi në muajin janar pritet të kalojë në Ukrainë, ndërsa i dyti ka një frakturë në gishtin e këmbës dhe ende nuk është rikuperuar. Gjithashtu në dyshim mbetet Arinaldo Rrapaj, i cili ka munguar në ndeshjet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të mund të jetë gati për trajnerin serb. Nga ana tjetër lajm i mirë për stafin e të kuqve është rikthimi i Prekës, i cili me shumë gjasa ndaj shkodranëve mund të marrë disa minuta.
sfidanti.al