Ergys Kaçe vazhdon të kalojë një periudhë shumë të vështirë të karierës së tij, madje tashmë ka mbetur në udhëkryq dhe është i detyruar të vendosë shpejtë për të ardhmen e tij. Mesfushori ynë është lënë jashtë skuadrës së PAOK-ut dhe duket se ky vendim i drejtuesve teknikë të ekipit grek është definitiv. Mesfushori nga Korça nuk është grumbulluar fare për ndeshjen e mbrëmshme ndaj Levadiakosit, të cilën PAOK e fitoi me rezultat 0-1.
Gjatë javës së kaluar, në media është përfolur për një interesim të Skënderbeut edhe Kukësit, të cilët synojnë të përfitojnë nga situate, për ta sjellë Kaçen në Kategorinë Superiore. Ndërkohë që vetë Kaçe është treguar pedant në një përgjigje të tij, duke theksuar se nuk ka ndërmend të kthehet në kampionatin shqiptar. Por, duket se tashmë kreditet e futbollistit kanë rënë ndjeshëm dhe Kaçe nuk ka shumë kohë për të zgjedhur.