Konte: Çelsi kërkon rekordin, por sa e vështirë përballë Totenhemit!

Nëse ia del sot, barazon rekordin historik të fitoreve radhazi në Premier Ligë. Çelsi dhe trajneri i tij, Antonio Konte, janë vërtet në prag të një arritjeje të madhe, por italiani e di mirë se është shumë më e lehtë ta thuash, sesa ta bësh. Pasi kanë fituar 13 ndeshje me radhë, do të provojnë të jenë në të njëjtin nivel me Arsenalin e vitit 2002, me 14 suksese tripikëshe pa ndërprerje. Vështirësia kryesore vjen nga fakti se përballja në orën 21:00 do të luhet në stadiumin “Uajt Hart Lejn”, që do të thotë në stadiumin e Totenhemit.

Çelsi fitoi 2-1 ndaj Totenhemit kur dy skuadrat u ndeshën në “Stemford Brixh”, dhe këtë herë pritet të jetë më e zorshme. “Tani është shumë e vështirë, – tha Konte, – ne jemi të kënaqur që kemi arritur deri këtu, ndërsa do të luajmë një ndeshje shumë të fortë ndaj Totenhemit. E rëndësishme është të jemi të vëmendshëm dhe të përpiqemi ta vazhdojmë “vrapimin” tonë”. Konte pranon se liga është ende e hapur me Liverpulin, Sitin apo edhe Arsenalin që nuk janë aspak larg, ndërsa pohon se “çdo ekip tani do të dojë të na ndalë, jo vetëm Totenhemi”.

Sfidanti.al