Nuk është e lehtë të jesh personazh publik sidomos në ato vende që nuk janë mësuar të mbajnë një distancë nga të ashtuquajturit yje. Kristiano Ronaldo u rrethua nga mjaft tifozë, ndërsa u kthye në qytetin e tij të lindjes Madeira, duke pasur në krah të dashurën e tij të re, Georgina Rodrigez. Futbollisti 31-vjeçar kishte marrë leje që të mos merrte pjesë në stërvitjen e Realit të Madridit, në prag të ndeshjes së Kupës ndaj Seviljes, dhe ndoshta nuk e kishte parashikuar se do të ndodhej i rrethuar nga shumë njerëz.
Kristiano u dallua nga tifozët në hotelin e tij “CR7” në qytetin e Funçalit, ndërsa u detyrua të bënte fotografi me tifozët dhe të jepte autografe. Gjithsesi, jo gjithçka kaloi mirë, pasi një oficer i policisë rrugore i vendosi një gjobë për parkim të gabuar të makinës. Ronaldo, më herët, ka qenë lojtar i Mançester Junajtidit, në një vend si Anglia ku njerëzit janë më pak të ndjeshëm ndaj njerëzve publikë, dhe ku shohin më shumë punët e tyre.