Tramezanin e shitëm si profesor në Zvicër, ata do ta shndërrojnë..nxënës!

Lotët e Tramezanit, ndihmësit  të De Biazit kur u largua nga Kombëtarja jonë,  nuk mund të harrohen për shumë arsye. Së pari, cili do të besonte se një trajner i dytë do të largohej më parë se “padroni” i tij , për të cilin kishim krijuar idenë se po e synonte gjysma e botës. Pastaj, një arsye më e fortë, kur dihej që në Shqipëri trajnerët zakonisht  përcilleshin me tradhëti në fund, ajo që ndodhi me italianin ishte si një rrufe në qiell të pastër, një ndryshim i dukshëm zakoni në tokën e pabesë. Ndaj, mbetet si një film prekës, skena me lot e Tramezanit, trajnerit që na u bë aq i dashur dhe i famshëm, sa harruam që e fitoi diplomën e trajnerit në shkollën tonë, një shkollë rekordmene nga bujaria, ngaqë të gjithë fitojnë  dhe askush nuk mbetet në klasë.  Edhe Paolo ishte njëri nga ata që e shijoi mrekullisht këtë parajsë profesionale,  madje pati edhe kurajon të premtonte një revolucion tek moshat,  pikërisht, kur kishte bërë nga valixhet për t’ia mbathur në Zvicër tek Lugano.  Ndofta ngaqë  na e kërkon trupi tradhëtinë, ndofta ngaqë e spërkati  me nikoqirllëk  imazhin e presidentit tonë sa herë i jepej rasti në studiot e RAI-it, dhe  ikja pa moral e Paolos u trajtua si “shitje kuqezi” e produktit  të stolit.

Është trill i fatit  apo një kartolinë ironike për zviceranët kur mendon se toka helvete ka qënë si një “det” për të peshkuar futbollistë të gatshëm, ndërsa mbërrin një ditë dhe ndryshon cilësisht trafiku, u dërgojmë një trajner të “gatshëm”italian, të pajisur me shkollë shqiptare të trajnimit. Kjo po, mund të quhej një “vepër arti”  për ne, sidomos nëse di rregullin skrupuloz të zviceranëve që trajnerët e zot nuk mund të patentohen në vënde ku bëhen qoka me stolin. Ndaj, edhe Paolo Tramezani, njeriu që i dhuruam kurorën e taktikës, është shtrënguar keto dite nga klubi i Luganos që të bëjë një kurs shtesë, tepër special, nëse do të gëzojë besimin maksimal për të drejtuar ekipin e Luganos. Një lajm jo fort i këndshëm për ne, kur sapo kishim filluar t’i binim bories se në Shqipëri, tani, është hapur dyqani ku shiten edhe..trajnerë.

Sfidanti.al