Majk Din shkaktoi një krizë nervash tek Uest Hemi pas vendimeve të tij që ndihmuan Mançester Junajtidin ta fitonte ndeshjen e Premier Ligës në “Apton Park”. Trajneri i “çekiçëve”, Sllaven Biliç e akuzoi ashpër gjyqtarin Majk Din për kartonin e kuq dhënë ndaj Feghulit, i cili sipas kroatit nuk duhej të ishte as i verdhë, por fakti mbeti që Uest Hemi luajti thuajse gjatë gjithë kohës me 10 vetë, dhe humbi. Gabimi tjetër i zotit Din, dhe i ndihmësit të tij Sajmon Long, nuk ishte aspak i vogël, pasi ai lejoi golin e dytë të Junajtidit shënuar nga Zllatan Ibrahimoviç, ndërsa tre lojtarë miq ishin në pozicion jashtë loje.
Premier Liga nuk ka ndërmend, gjithsesi, të nxitohet me futjen e teknologjisë, siç ndodhi në Kupën e Botës për klubet në Japoni. Mediat britanike raportojnë se Premier Liga ka planifikuar një periudhë prove 2-vjeçare, dhe se të gjitha gjasat janë që teknologjia të përdoret zyrtarisht vetëm në sezonin 2018-2019. Ekziston mundësia që periudha e provës për VAR (Video Assistant Referees) të zgjatet në më shumë se dy vjet.