Destani Aiava u bë e para “Fëmijë e Mijëvjeçarit” në tenisin botëror. Adoleshentja nga Australia shënoi emrin e saj në librin e historisë pasi ishte e para teniste femër e lindur në vitin 2000 që fitoi një ndeshje të nivelit WTA, pra të nivelit maksimal të profesionizmit. Më përpara, në WTA kishin fituar teniste të lindura në vitin 1999 dhe më herët. Aiava, lindur në 10 maj 2000, fitoi ndaj amerikanes veterane, Betani Matek-Sands, pas tri seteve, në një përballje që u zgjat në dy ditë për shkak të motit, dhe që përfundoi 2-1 (2-6, 6-3, 6-4).
Vajza 16-vjeçare kryesonte 3-0 dhe 40-15 në setin e tretë kur reshjet e shiut ndërprenë takimin në turneun e Brisbejnit, dhe ajo vuajti për ta mbyllur ndeshjen, duke triumfuar setin final 6-4. Interesant është fakti se Aiava ishte vetëm 1 vjeç kur Matek-Sands luajti ndeshjen e saj të parë në një turne Grand Slemi në 2001. Tashmë, australiania e vendit të 386 në botë, do të luajë me rusen 31-vjeçare, Svjetlana Kuznjecova.