Pa Ramosin Reali nuk fiton, si do t’ia bëjë nesër në “Kamp Nou”?!

Optimizmi nuk ka më vend në Qytetin Sportiv në Valdebebas, ndërsa Reali po rreshton humbjet dhe po pret me ankth duelin e së shtunës me Barcelonën. Katastrofa me Shahtarin e Donjeckut në Champions pasoi atë në La Liga ndaj Kadizit, dy nga humbjet më pak të pritshme dhe të pësuara në shtëpi në pak ditë. Një nga “emëruesit” e përbashkët ishte mungesa e kapitenit Sergio Ramos, i dëmtuar në pushim të ndeshjes me Kadizin në “Miniestadi Alfredo di Stefano”. Mediat nga Madridi shkruajnë se mbrojtësi i qendrës është në dyshim të madh për duelin në El Klasiko. Dëmtimi nuk i ka kaluar dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe vetë Ramosit duket se asgjë nuk do të bëhet. Në moshën 34-vjeçare riaftësimet bëhen më ngadalë, por si i bëhet Realit në Katalonjë? Kapiteni u stërvit i vetëm, ndërsa trajnerit Zidan i mungojnë Karvahal, Hazar, Odegard, Diaz dhe Odriozola.

Sfidanti.al