Në një ndeshje të rëndësishme, mungesa totale e tifozëve është një humbje që mund të llogaritet përmendësh, ndërsa në derbin e Shqipërisë pranie e tyre është kthyer në varësi. Në pjesën dërrmuese të rasteve gjatë dekadës së fundit, tifozët kanë qenë zëri por edhe figura e ndeshjeve, duke e bërë të gjallë një përballje Tirana – Partizani edhe kur i ka munguar fare cilësia e protagonistëve në fushë. Prej kohësh jemi mësuar ta lidhim ngushtësisht një eveniment të tillë futbollistik, me përgatitjet e zhurmshme të njerëzve të shkallëve, shpalosjen e banerave provokues, me trajtimin që i bëjnë kundërshtarëve, si t’i kishin armiqë të betuar dhe ne jemi mjaftuar me vetëm kaq, për të bindur veten se kemi derbi edhe kur kemi shumë pak futboll. Pr shembull të premten nuk mund të flitej për derbi, por thjeshtë për një detyrim kalendarik. Gjatë të gjithë takimit, topi shkoi në portat respektive vetëm në dy raste, një herë pas një goditje të Tolit të Tiranës dhe nga një devijim i Bardhit. Pjesa tjetër ishte e vakët, e mbushur me gabime elementare edhe në pasime të thjeshta, ndërsa për ta mbajtur në këtë ritëm zvarritës mendoi seriozisht edhe arbitri ndërkombëtar Xhaja e asistentët e tij të shumtë. Dy penallti të mohuara për Tiranën dhe që e lanë përfundimin një 0-0 për të të dëmtuar sytë.
Ndërsa fusha e stadiumit Kombëtar është një turp, por që po ia dalin ta nxjerrin jashtë vëmendjes nëpërmjet një propaganda që nuk po njeh më asnjë parim. Ata që e vunë në dukje gjatë ditëve në prag-derbit u klasifikuan si delja e zezë në grigjën e Perëndisë së futbollit, ndërkohë që tentuan të reklamojnë si një arritje të jashtëzakonshme kombëtare, lajmin që në këtë ambjent do të luhet finalja e një kompeticioni europian, i cili ende nuk e ka ngritur siparin dhe që për nga rëndësia do të jetë i kategorisë së tretë. Dhe dikush e ka shfrytëzuar më së miri këtë ndjenjë të kultivuar inferioriteti që jeton bashkë me ne. Pikërisht në ditën e ndeshjes, presidenti i FSHF-së organizoi një video-konferencë, për ta bërë më publike arritjen e tij personale, ndërsa mediat theksuan absurditetin, se për të mbërritur deri në sigurimin e kësaj finale, u arrit marrëveshje për të hequr dorë nga ajo e Superkupës së Europës. Por pse pranuan klubet që derbi të zhvillohej në atë ambjent? Trajneri Dede u mundua të përgjigjej me një batutë: “U nuk jam agronom për të vlerësuar gjendjen e fushës”… Në fakt nuk ishte çëshje agronomësh pasi një kanal që e ndante atë në mes ishte shumë i dukshëm, ndërkohë që do të luanin dy skuadra profesioniste, më të titulluarat në vend dhe jo një seleksion kooperativistësh…