Në Gjermani bëjnë një krahasim të Lëvit me Flikun dhe Klopin!

Oliver Birhofi, menxheri i kombëtares gjermane, duke mbrojtur trajnerin e ekipit Joakim Lëv, deklaroi se edhe skuadra të mëdha të klubeve si Bajerni apo Liverpuli kanë pësuar humbje të rënda në këtë periudhë pandemie. Birhofi iu referua disfatës 1-4 që bavarezët pësuan në Hofenhajm për Bundesligën, dhe katastrofës 2-7 të liverpulasve në fushën e Aston Vilës në Premier Ligë.

Atij i dha një përgjigje gazetari Matias Brygelman (Matthias Bruegelmann) në faqet e tabloidit “Bild”, në një analizë që nuk ishte aspak bulevardeske. “E drejtë zoti Lëv, – shkruajti ai, – edhe Bajerni me Liverpulin humbën keq, ashtu si Gjermania 0-6 në Spanjë, por pas humbjeve nuk u cënua aspak reputacioni i Hansi Flikut dhe Jurgen Klopit, ndërsa reputacioni juaj u dëmtua rëndë. Mjafton të bëni një sondazh dhe të pyesni tifozët”. Brygelmani i jep si këshillë Lëvi që të lerë në shtëpi skedën e taktikës dhe të mbajë një fjalim frymëzues për Gjermaninë dhe për tifozët, ndërsa afron Kampionati Europian. “Duhet të shkëlqesh dhe jo të simulosh, Jogi”, – thekson gazetari.

Sfidanti.al