Kupa e Italisë është kthyer edhe në një duel miqësor në distancë, mes dy portierëve të kombëtares shqiptare. Vetëm 24 orë pasi Etrit Berisha përjetoi një nga mbrëmjet më të mëdha të karrierës, me eleminimin që Atalanta i bëri Juventusit (3-0), ishte radha e Tomas Strakoshës.
Numri 1 i Lacios u bë lajm i parë i mediave të Europës dhe të të gjithë botës, kur priti dy penallti në “San Siro”, duke i dhënë kualifikimin Lacios ndaj Interit. Lautaro Martinez dhe Raxha Naingolan u ndalën prej 23-vjeçarit shqiptar, në përfundim të një çerekfinaleje të madhe në stadiumin milanez. Nuk do të ketë derbi në gjysmëfinale, por një sfidë mes Lacios dhe Milanit.
Kryeqytetasit e merituan kualifikimin dhe, jo më kot, shkëlqeu edhe portieri interist, Handanoviç, që bëri disa pritje gjatë 90 minutave të kohës së rregullt. U desh koha shtesë, dhe pastaj penalltitë për të përcaktuar fituesin, dhe 30 minutat ishin dramë. Çiro Imobile kaloi Lacion në epërsi në 108’, por VAR-i ndihmoi Interin në të 120-ën. Penallti për vendasit, dhe Mauro Ikardi shënoi më në fund pas 6 ndeshjesh. Gjithçka e kotë, pasi tek penalltitë e vërteta u shfaq Strakosha që bëri dy pritje, ndaj një të Handanoviçit.
Sfidanti.al