U kalua një kundërshtar relativisht i lehtë, por në të njëjtën mbrëmje, u kapërcye një sulmues i madh. Reali i Madridit dhe Karim Benzemaja patën mbrëmje feste në fushën e Gironës, me skuadrën që kaloi në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, dhe me francezin që u ngjit në vendin e 6-të në renditjen e shënuesve të klubit për të gjitha kohët.
Madrilenët fituan 3-1 në Gironë, me dy gola të Benzemasë, dhe një të Markos Jorentes, ndërsa sulmuesi francez kapërceu legjendën Hugo Sançez për numrin total të golave. Ai tani ka 209 rrjeta, ndaj 208 të meksikanit të madh. Gjithsesi, numrit 9 do t’i duhet të bëjë shumë më tepër (nëse do të ketë kohë) për t’u ngjitur më lart. Në radhë janë Ferenc Pushkash (242 gola), Karlos Santiliana (290), Alfredo Di Stefano (309), Raul Gonzales (323) dhe Kristiano Ronaldo (451).
Girona arriti të shkurtonte përkohësisht diferencën me anë të 19-vjeçarit Pedro Porro, por u mposht me shifrat totale 3-7. Reali u bashkua në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, me Barcelonën, Valencian dhe Betisin, me shortin që do të hidhet sot pasdite.
Sfidanti.al