Ai vetë e kishte renditur të parin, kur pati mundësi të votonte për çmimin e Lojtarit të vitit të FIFA-s. Lionel Mesi duket se ka respekt të madh për Sadio Manenë, ndaj edhe i dha vlerësimin e lartë sulmuesit të Liverpulit, që doli i katërti në garën për Topin e Artë. Trofeun e fitoi vetë Mesi, me Virgil Van Dajkun të dytin dhe Kristiano Ronaldon të tretin.
“Është turp që Mane nuk është më lart në renditjen e Topit të Artë, – u shpreh ylli i Barcelonës, – gjithsesi, mendoj se këtë vit ka pasur lojtarë të mëdhenj në garë. Ishte e vështirë të zgjidhje. Unë vetë zgjodha Manenë sepse është një lojtar të cilin e pëlqej shumë. Ai pati një sezon të madhe duke qenë tepër i rëndësishëm për gjithë skuadrën e Liverpulit”.
Fjalët e Mesit mund të vlerësohen edhe si një “shigjetim” për rivalin e tij kryesor, Kristiano Ronaldo, i cili doli i treti, një pozicion më lart sesa Mane. Sulmuesi nga Senegali e tregoi gjithë potencialin e tij duke shkëlqyer në fitoren 5-2 të Liverpulit në derbin ndaj Evertonit në Premier Ligë.
Sfidanti.al