Si shqiptarë na pëlqen shumë ky krahasim, edhe pse nuk mund të fluturojmë. E vërtetë që Armando Broja është një sulmues shumë i mirë, dhe ende 19-20 vjeç, por duket shumë e vështirë të thuash tani se ai mund të jetë një Haland apo një Lukaku. Gjithsesi, në Angli ka nga ata që thonë se Çelsi duhet t’i besojë futbollistit të ri shqiptar, që luajti me sukses i huazuar tek Viteshe në Holandë sezonin e kaluar. Mediat pranë bluve të Londrës këshillojnë klubin e tyre që duke vënë “bast” për Brojën do të kursejnë shumë para, pasi Haland dhe Lukaku janë shumë të shtrenjtë. Norvegjezi do të kushtonte 170 milionë euro, ndërsa sulmuesi shqiptar është lojtar i akademisë së Çelsit. Në Holandë shënoi 14 gola këtë sezon dhe kjo ka bërë që trajneri Tuhel t’i besojë për t’i dhënë një kontratë të re, e ndoshta e merr në ekip.
Sfidanti.al