Shqipëria “zgjohet” në 42’ nga Cikalleshi, humb logjikshëm 1-3 në Pragë!

Nëse do të ndeshja do të kishte nisur pranë fundit të pjesës së parë, atëherë mund të kishim marrë një notë më pozitive. Do të kishim qenë kalues, madje nxënës deri tek mesatarja, por kur shton edhe 42 minutat e para të saj, atëherë bëhemi problematikë. Kombëtarja shqiptare humbi 1-3 në Pragë me Republikën Çeke, një ekip i fortë, por jo shumë më i mirë sesa Polonia apo Hungaria me të cilët do të kemi punë në eleminatoret e Kupës së Botës.

U desh goli i shkëlqyer i Cikalleshit në 42’, që ekipi i trajnerit Reja të zgjohej dhe të krijonte lojën e tij dhe rastet që mund t’i kishin dhënë rezultat tjetër. Fillimi ishte për t’u harruar. Dy-tri pritje të portierit Selmani, një ndërhyrje vendimtare e Gjimshitit dhe ndonjë gabim i vendasve nuk lejuan që shifrat të ishin më shumë se 1-0. Patrik Shik ishte shënuesi për vendasit, dhe Cikalleshi në 42’ për Shqipërinë.

Pas pushimit, Cikalleshi, Manaj, Doka, Balaj e Bare patën mundësi duke treguar se të paktën për 45 minuta dimë të luajmë futboll. Golat në pjesën e dytë gjithsesi, i shënuan çekët me Masopustin në 68’ dhe Celuckës në 89’. Në minutën e dytë shtesë, Bare goditi shtyllën në një ndeshje me dy fytyra për Shqipërinë.

Shqipëria: Selmani, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli (Doka 72’), Abrashi (Laçi 80’), Bare, Kallaku (Çekiçi 53’), Trashi (Lenjani 72’), Cikalleshi (Balaj 80’), Manaj (Seferi 80’). Tr. Reja

Sfidanti.al