Mos harroni se po flasim për një kampion të NBA-së. Kevin Durant është një nga talentet më të mëdhenj të të gjitha kohëve në basketbollin amerikan, dhe të tillë e tregoi veten në fitoren jashtëzakonisht të madhe të Bruklinit ndaj Miluokit. Klasi i tij, që është krahasuar gjithnjë me atë të Lebron Xhejmsit, bëri të mundur që ekipi nga Nju Jorku të mos e ndiente mungesën e Xhejms Hardenit dhe të arrinte shifrat 125-86 në “Barklais Sentër”.
Duranti shënoi 32 pikë, duke qenë tepër i saktë në gjithçka që bëri. Ai nuk u lodh shumë me topat në tabela duke kapur vetëm 4, ndërsa dha 6 asiste, por loja e tij në sulm e në mbrojtje ishte e panjollë. Një gjigand si Janis Antetokumbo nuk arriti ta ndalonte për asnjë moment, ndërsa Bruklini mori epërsinë 2-0 me fitore në serinë e raundit të dytë të plej ofit. Natyrisht, Duranti nuk ishte i vetëm, pasi ekipi njujorkez ka shumë talent dhe shpejtësi. Kajri Irving shënoi 22 pikë, Braun e Harris shtuan nga 13, dhe Xhejms pati 10 pikë.
Miluoki e pati të pamundur të përballonte një ekip të tillë, që luan basketboll të rrufeshëm. Antetokumbo mbeti me vetëm 18 pikë ndonëse pati edhe 11 topa në tabela, ndërsa Kris Midëllton shënoi 17. Ndeshja e tretë luhet në fushën e Miluokit, por nuk dihet nëse Antetokumbo me shokë do të arrintë ta ndalojnë Durantin dhe Bruklinin që të kualifikohen shumë shpejt për në finalen e Konferencës së Lindjes të NBA.
Sfidanti.al