Flamurtari, tifozët qajnë për lavdinë e humbur, Vasil Ruci akuzon për shkatërrimin e legjendës!

Ka kaluar çerek shekulli, por duket sikur ka ngjarë dje. Flamurtari i madh i viteve 80-të ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve, dhe madje jo vetëm tifozëve, për suksesin më të madh historik të klubeve tanë në Europë. Sot, 24 vjet më vonë, i njëjti klub, e njëjta skuadër me emrin Flamurtari, me fanelën kuqezi, dhe pasardhëse e brezit të paharruar të Kushtës, Vasil e Petro Rucit, Ferkos, Zijait, Iljadhit, Gjondedës, Bubeqit e të tjerëve, mund të thuhet se zbritën në ferr. Një vit pas rënies nga Superliga, vlonjatët zbritën në Kategorinë e Dytë pas humbjes së finales me Tërbunin e Pukës, dhe legjenda Vasil Ruci, e ka shumë të vështirë të flasë.

“Pezmi është i madh, por nuk është koha për kritika, por që së bashku të ndihmojmë Flamurtarin që të kthehet, – shprehet ish-shënuesi i golave ndaj Barcelonës, – duhet durim, qetësi dhe vetëpërmbajtje”. Ruci bën një vërejtje të urtë, një sintezë të kohës që po jetojmë. “Kanë ndryshuar kohët, – thotë ai, – ne nuk punojmë me njëri-tjetrin. Në botë, problemet personale zgjidhen në shoqëri, ndërsa këtu tek ne problemet e shoqërisë duam që t’i zgjidhë individi”.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, jep sinjal se do të largohet kur kontrata me bashkinë të përfundojë në korrik. “Nuk e lë betejën në mes, por nuk ia vlen të vazhdoj, – shprehet ai, – të bëj pingpong me Bashkinë? Unë dua që këshilli bashkiak të më thotë “ky është vendi ku ti mund të investosh”. Bashkia financon ekipe të tjerë dhe nuk financon Flamurtarin”.  Idrizi thotë se Flamurtari është në kushte më të këqija se të tjerët. “Të gjithë kanë fusha, ndërsa ne kemi vetëm një, këtu tek Pylli i Sodës vjen stërvitet e gjithë Vlora”, – thekson ai.

Në bazë të kontratës me Bashkinë, Idrizi është administrator, dhe jo sponsor, pra për të administruar fondet e Bashkisë, por gjithsesi, ai premtoi të financonte, por më pas u diskutua se pati bllokim të llogarive në Turqi. Historia e privatizimit nisi që në korrik 2014, vazhdoi në maj 2016, por ende nuk ka përfunduar. Më përpara, ishte Bashkia që financonte në kohën e kryetarit Gjika, dhe vlonjatët fituan Kupën e Shqipërisë në 2014, dhe morën pjesë në kupat e Europës. Një nga tifozët më besnikë, Agron Sinani, përlotet kur kujton të kaluarën.

“Po shikoja në Procesin Sportiv aksionet në kohën kur luanim me Barcelonën, dhe më dolën lot nga sytë, – u shpreh ai, – për ne, Flamurtari është tepër i rëndësishëm, ka bërë në Europë atë që nuk e ka bërë asnjë skuadër shqiptare”. Duket shumë e vështirë që të rikthehet ndonjëherë Flamurtari i madh i viteve 80-të, por tifozët duan që të paktën ai të jetë pretendent në Shqipëri.

Sfidanti.al