Me Halandin tashmë 21 vjeç dhe me “Murin e Verdhë”, Dortmundi beson titullin!

Le të mos nxitohemi sepse kjo skuadër shpesh na ka nxjerrë të gabuar, por ndoshta ka ardhur koha për të menduar pozitivisht. Në stolin e Dortmundit nuk është më Jurgen Klopi, dhe as Otmar Hicfeldi, por në fushë është Erling Halandi. Epo mirë, do të thotë dikush, ai ishte edhe vjet! Po, veçse sot është 21 vjeç dhe kalimi i adoleshencës përbën një ndryshim të madh për njeriun, ashtu edhe për futbollistin. Pikërisht Erling Halandi mund të thuhet se i jep besimin Borusias së Dortmundit dhe tifozëve të saj se titulli kampion mund të fitohet për herë të parë pas 10 vjetësh.

Bashkë me gjigandin norvegjez, që mediat spanjolle e cilësojnë si “sulmuesin më të mirë të botës”, është edhe “Muri i Verdhë”, që do të thotë tribunat e mbushura plot në “Signal Iduna Park”, ish-“Vestfalen Shtadioni” i famshëm, ku 81 000 tifozë janë lojtari i 12-të, i 13-të apo edhe më shumë për ekipin e tyre. Halandi shënoi 2 gola dhe shërbeu 3 asistë në fitoren 5-1 ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit. Sulmuesi 21-vjeçar ka 62 gola në 61 ndeshje për Dortmundin!

Sfidanti.al