Edhe sot ka shumë fansa që e kujtojnë mjaft mirë natën kur Zinédine Zidane, vetëm pak minuta larg mbylljes së një karriere të shkëlqyer, humbi durimin, i provokuar rëndë nga ish-mbrojtësi i Interit. Goditja me kokë e tij në gjoksin e Materazzi do të mbetet në historinë e futbollit, natyrisht jo si “fletë lavdërimi” për legjendën e futbollit francez. Krenar nuk bën as Materazzi, i cili duke folur për “The Times” i është kthyer atij momenti, që do të donte të mos kishte ndodhur kurrë. Ish-mbrojtësi italian pranon se “Zizou” i ofroi fanellën e tij, ndërsa ai i kërkoi më mirë… motrën e tij. Pothuajse 18 vite pas fitores së finales së Kupës së Botës me Francën, Marco Materazzi kujtoi episodin e famshëm të përplasjes verbale me Zidane, që përfundoi me goditjen me kokë dhe përjashtimin e francezit me karton të kuq:
“Nuk më pëlqen si moment. Nuk përputhet me atë që ka qenë karriera ime. Ai episod nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Në tensionin e asaj finaleje të Berlinit, mes grindjeve dhe ofendimeve, Zidane më ofroi fanellën e tij, ndërsa unë i thashë jo, sepse preferoja motrën e tij. Më pas ai u kthye dhe reagoi siç e kujtojnë të gjithë. Nuk e kam takuar më kurrë Zinedine”.
Me këtë rast, Materazzi rikonfirmoi vlerësimin e tij për Mourinhon si trajnerin më të mirë që ka pasur në karrierë: “Jose është trajneri më i mirë që kam pasur. Isha mësuar të ndihesha i rëndësishëm, kapiten, por me Mourinhon fillova ta humbas rëndësinë. Megjithatë, ai ishte i sinqertë me mua që në momentin e parë. Historia e lamtumirës së tij, pas finales se Champions League, të fituar prej nesh në ‘Bernabeu’? Kemi qarë të dy. E pyeta pse po largohej nga Interi, pse po më linte vetëm? Isha i bindur se me Mourinhon mund të vazhdonim të fitonim, ndoshta jo një tjetër Champions League, por tituj të tjerë. Sidoqoftë, ai tashmë kishte vendosur të largohej për te Real Madridi”.
sfidanti.al