Ka krijuar paksa habi zgjedhja e trajnerit Luis Enrike për ndeshjet eleminatore të Botërorit. Në listën e Spanjës, për sfidat ndaj Greqisë, Gjeorgjisë dhe Kosovës (në 31 mars), ndodhet vetëm një lojtar i Realit të Madridit, kapiteni Sergio Ramos, ndërsa aty janë tre emra nga Barcelona. Bëhet fjalë për Zhordi Albën, Pedrin dhe Busketsin. Luis Enrike u ngacmua në konferencën për shtyp, por deklaroi se “nuk i shoh ekipet nga vijnë lojtarët, më interesojnë vetëm futbollistët, ndërsa as nuk dua të ul ndonjë klub dhe as ta shpërblej”. Ai u pyet nëse Pedri i ngjan me Iniestën, por u përgjigj se “rëndësi ka që Pedri ngjan me Pedrin, dhe kjo mjafton për të qenë tek Spanja, ndërsa po luan vazhdimisht tek Barcelona”. Një pyetje ishte nëse Sergio Ramos mund të vazhdojë në kombëtare deri në 2026. “Nëse dikush mund ta bëjë, është pikërisht ai”, – theksoi trajneri i Spanjës.
Sfidanti.al