Kutinjo, çfarë mund t’i përmirësosh kësaj Barcelone?

Filip Kutinjo me vlerën prej 160 milionë eurosh ka vetëm një kuptim, që mund ta ngrejë Barcelonën në një nivel tjetër. Blerja e dytë më e shtrenjtë e botës pas Nejmarit u ndodh në “Kamp Nou” dhe ndoqi një tjetër “simfoni” të skuadrës më të madhe të shekullit të 21-të, atë të fitores 5-0 ndaj Seltës në Kupën e Mbretit.

Nën dirigjimin e Lionel Mesit, autor i dy golave, katalanasit arritën në çerekfinale të kompeticionit që e kanë fituar më shumë se kushdo tjetër dhe disa herë radhazi. Çfarë mund t’i përmirësojë Kutinjo kësaj skuadre? Komenti i “Deili Meilit” ishte i qartë: Nëse ka një ekip që nuk ka nevojë për blerje 160-milionë eurosh, ky është Barcelona!

Me blerjen tjetër 120-milionëshe, Usman Dembele, në stol, Barça dha një spektakël duke shënuar 4 gola pa marrë asnjë në 45 minutat e para. Mesi realizoi dy herë në mënyrë magjike, Zhordi Alba u duk si “Mesi Nr. 2”, ndërsa punën e përfunduan Luis Suarez e Ivan Rakitiç. Leo, përveçse realizoi dy, krijoi një tjetër gol, dhe besohet se është viti i duhur për t’iu kthyer Topi i Artë dhe çmimi Lojtari më i mirë në botë i FIFA-s.

A mund të thuhet se Selta ishte një “kalë i ngordhur”? Vështirë të ta nxërë goja pasi vjet arriti gjysmëfinalet e Ligës së Europës, ndërsa këtë sezon i ka marrë pikë edhe Realit, edhe Barcelonës. Për më tepër, kjo Barçë e tregoi veten edhe në “Bernabeu”.

Sfidanti.al