Nuk do të ishte një arritje që nuk ka ndodhur kurrë më parë për këtë skuadër. Liverpuli e ka fitur Championsin, apo dikur Kupën e Kampionëve edhe kur nuk ka shkëlqyer në kampionatin anglez dhe diçka të tillë kërkon Sadio Mane për këtë sezon. Sulmuesi afrikan pranon se shanset e të kuqve për të mbrojtur titullin e fituar vjet tashmë janë shumë të pakta dhe shpresa mbetet në Europë.
“Synimi ynë që në fillim ishte Championsi, po ashtu Premier Liga dhe gjithçka tjetër që mund të fitohej, – tha ai, – tani unë mund të them se gjithçka ka marrë fund për kampionatin … (diferenca) është shumë. Natyrisht, ne nuk dorëzohemi kurrë, por Siti është një skuadër shumë e mirë dhe po fluturon në këtë moment. Championsi është tani objektivi ynë kryesor. Ta fitojmë, jo të dalim të dytët, por nuk do të jetë e lehtë”.
Liverpuli ka fituar 2-0 në Budapest ndaj Lajpcigut në ndeshjen e parë të turit të dytë dhe është favorit për në çerekfinale, ndonëse gjatë rrugës (nëse kualifikohet) do të ketë kundërshtarë të fortë si Bajerni, Mançester Siti, ndoshta Reali i Madridit apo Paris SG. Dy herë në të kaluarën, të kuqtë kanë “pushtuar” Europën, kur nuk ia kanë dalë në Angli. Në 1981 dhe 2005 fituan përkatësisht Kupën e Kampionëve dhe Championsin, ndërsa dolën në vend të pestë në kampionat.
Sfidanti.al