Gatuzo akuzon arbitrin, por eleminimi nga Europa mund ta ndihmojë!

Ishte edhe krenar, edhe i hidhëruar, edhe i zemëruar pas ndeshjes së Napolit të tij ndaj Granadës spanjolle. Një tjetër skuadër italiane e eleminuar nga kontinenti, por Xhenaro Gatuzo kishte një vërejtje për të bërë përpara sesa të dilte nga Liga e Europës, duke mbyllur derën pas vetes. “Mendoj se arbitrimi duhej të kishte treguar më shumë respekt për një skuadër italiane, – tha ai, – në pjesën e parë luajtëm vetëm 16-17 minuta lojë efektive. Duhet të kemi respekt dhe jo të humbasim kohën. Nuk mund të rrihet shtrirë nga 3 minuta për çdo rast. Nëse do të kishte qenë një skuadër italiane që do të ishte sjellë kështu, do të flitej në të gjitha gazetat e botës”.

Ndoshta Gatuzo ka të drejtë, vërtet mediat botërore mund të kishin shkruar, sepse tradita ka qenë që ekipet italiane ishin mjeshtre për të përfituar nga vonesa të tilla për të marrë rezultatin e duhur. Në stadiumin “Maradona” përfundoi 2-1 për napolitanët me gola të shënuar nga Pjotr Zielinski në 3’, Angel Montoro (Granada) në 25’ dhe Fabian Ruiz në 59’. Sidoqoftë, eleminimi mund të ketë edhe efekte pozitive. Siç shkruajnë gazetat sportive italiane, tashmë Napoli mund të gjejë një datë të lirë për të luajtur ndeshjen e prapambetur ndaj Juventusit në Serinë A, në 17 mars në Torino. Do të kishte qenë ndryshe nëse do të ishte kualifikuar.

Sfidanti.al