Shumë “koka të mëdha” priten në Europë, Milanit iu kujtua 1988-ta!

Eleminimet ishin për emra të njohur, dhe që tregojnë se Europa nuk fal nëse nuk ke përvojën e duhur, apo përkushtimin e duhur. Hofenhajmi i Bundesligës u eleminua nga Molde norvegjeze (ish-ekipi i Solskjerit dhe Halandit), Leverekuseni po i Bundesligës u flak jashtë nga Jang Bojsi, ekipi që eleminoi Tiranën në plej ofin e Europa Ligës, Leisteri i Premier Ligës u mund pastër 2-0 në Angli nga kryesuesja e kampionatit çek, Sllavia e Pragës, ndërsa Milani rrezikoi rëndshëm ndaj Crvena Zvezdës. Mund të theksohet se një skuadër me buxhet të rëndësishëm si Krasnodari i Rusisë u eleminua nga Dinamo e Zagrebit.

Eleminimet e Hofenhajmit dhe Leverkusenit ishin tronditëse, por po ashtu edhe ai i Leisterit, një prej ekipeve më në formë të Premier Ligës. Gjithsesi, anglezët ishin pa përvojë ndërsa Sllavia e Pragës ka luajtur më shumë në Europë, ishte në formë të mirë dhe pati mundësi të përqëndronte të gjitha forcat fizike dhe psikologjike në këto dy ndeshje.

Milani e pati tepër të vështirë edhe pse luajti në “San Siro”, edhe pse Zllatan Ibrahimoviç ishte në fushë, e ndonëse Crvena Zvezda luajti me një lojtar më pak në 20 minutat e fundit. Madje, kampionët e Serbisë patën raste për fitore me Gobeljiçin dhe Katajin, por nuk shënuan dot. Kjo do të thotë se nga 4 ndeshje që kanë luajtur dy skuadrat në Europë, kanë dalë 4 barazime, duke përfshirë dy sfidat e famshme në 1988, që përfunduan të dyja 1-1 dhe kur Milani kaloi me penallti, duke shpëtuar nga mjegulla në Beograd me përsëritjen e ndeshjes.

Shorti për të tetat e finaleve hidhet të 26 shkurt, pra këtë të premte në orën 13:00, dhe ndeshjet do të luhen në 11 e 18 mars.

Rezultatet: Ajaks-Lilë 2-1 (2-1), Arsenal-Benfika 3-2 (2-2), Hofenhajm-Molde 0-2 (3-3), Napoli-Granada 2-1 (0-2), Gllazgou Rejnxhërs-Antverp 5-2 (4-3), Shahtar Donjeck-Makabi Tel Aviv 1-0 (2-0), Vijarreal-Salcburg 2-1 (2-0), Leverkusen-Jang Bojs 0-2 (3-4), Klub Bryzh-Dinamo Kiev 0-1 (1-1), Dinamo Zagreb-Krasnodar 1-0 (3-2), Leister-Sllavia Pragë 0-2 (0-0), Mançester Junajtid-Real Sociedad 0-0 (4-0), Milan-Crvena Zvezda 1-1 (2-2), PSV Ajndhoven-Olimpiakos 2-1 (2-4), Roma-Sporting Braga 3-1 (2-0).

Sfidanti.al