“Pleqëri” e Lebronit dhe mungesë e Dejvisit, si do t’ia bëjnë Lejkërsat me Juta Xhazin?!

A thua do të jetë e tillë hierarkia deri në fund? Nëse përfundimin e nxjerr pasi ke parë duelin më të fortë të NBA-së mbrëmjen e fundit, mendon se kështu do të jetë. Juta Xhaz dha një provë force ndaj Lejkërsave duke u mundur fare lehtë, pa pyetur as për praninë e legjendës Lebron Xhejms. Suksesi ishte me 25 pikë diferencë, 114-89, e tillë diferenca e momentit mes kryesueses së basketbollit amerikan, dhe kampiones në fuqi.

Juta nuk ka një yll në kuptimin e Lebronit, Hardenit, Durantit apo Leonardit, por trajneri Kuin Snajder ka në dispozicion një ekip të vërtetë. Gober e Klarkson shënuan nga 18 pikë, Bogdanoviç 15, Konlej 14 e Donovan Miçëll 13, duke kapur edhe 10 topa në tabela e duke shërbyer 8 asistë. Basketbollistët nga Kolorado shënuan 22 kosha tripikësh, dhe padyshim janë kandidatët numër 1 për të fituar titullin.

Lebroni për herë të parë këtë sezon tregoi efektet e moshës së tij 36-vjeçare. Po ashtu, të ngarkesës së rëndë fizike duke qenë një nga lojtarët e NBA-së me minutazhin më të madh në fushë. Ai shënoi 19 pikë, që janë pak për standardin e tij, por sidomos nuk dha dot kontribut të madh në kompleks, me vetëm 4 topa në tabela dhe me 4 asistë. Duke e ndjerë lodhjen e tij, trajneri Frenk Vogel, nuk e la në parket më shumë se 27 minuta. Për fat të keq, Lejkërsat nuk patën sërish shërbimet e Entoni Dejvisit, i cili mbetet i dëmtuar dhe do të mungojë edhe gati tri javë. Juta kryeson Konferencën Perëndimore me 26 fitore e 6 humbje, duke qenë skuadra më e mirë e sezonit deri tani, ndërsa Lejkërsat janë në vend të tretë po në Perëndim me 22 fitore e 11 humbje.