Rikthehet Cikalleshi, një gol për mosmirënjohësit

Në Shqipëri e harruan, e përzunë në momentin më të vështirë dhe ky trajtim që nuk është i rrallë këtu tek ne e sigurisht që do ta kishte edhe një arsye të fortë. Sokol Cikalleshi ishte vendosur të luante nga minuta e parë në finalet e Francës, më pas e humbi vendin e titullarit, ndërsa tani ka humbur edhe mundësinë e grumbullimit. Trajneri De Biazi deklaroi me “keqardhje”, se futbollisti duhet të ndërronte skuadër që në janar, ndërkohë që grumbulloi të tjerë që për momentin nuk e kanë fare një të tillë. Pra, sulmuesi 26 vjeçar u bë viktima e radhës e mosmirënjohjes së drejtuesve të futbollit, duke e trajtuar si një karierë të përfunduar.

Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, është rikthyer të gjejë golin për skuadrën e tij. Ai është aktivizuar dje në takimin e Kupës së Turqisë, ku Bashaksehir është përballur në transfertë ndaj Jeni Amasjasporit dhe ka shënuar golin e vetëm, në fitoren 0-1. Futbollisti shqiptar, i cili prej kohësh nuk aktivizohet nga ekipi i tij në kampionat, e ka nisur ndeshjen si titullar dhe arriti të gjente rrjetën në minutën e 73-të. Tashmë ndeshjet e Kupës janë shumë të rëndësishme për Cikalleshin, pasi nëpërmjet tyre I duhet të rifitojë besimin e trajnerit, ndërkohë që konkurenca në skuadrën nga Stambolli është rritur ndjeshëm, pasi flitet për një ekip që kërkon titullin e madh në kampionatin turk.

Sfidanti.al