Skuadrat e Serisë A janë bërë “gjirokastrite” nga halli, por duket se nuk i kanë mësuar mirë “marifetet” e qytetit tonë të gurtë. Pavarësisht krizës financiare, dhe dorës së shtrënguar në shpenzime, sërish bëhen gabime në vlerësime dhe shumë prej atyre të marrë me bujë, detyrohen të qendrojnë në stol. Në total, vlera e lojtarëve që nuk luajnë shkon në 83 milionë euro. Në vend të parë Napoli, me 25.6 milionë euro si rezerva. Mbrojtësi Toneli erdhi nga Empoli për 9 milionë euro, lojtari ofensiv 21-vjeçar Rog erdhi nga Dinamo e Zagrebit për 13.5 milionë. Kroati u quajt “Modriçi i ri”, por nuk po luan. Pak hapësirë edhe për Xhakerinin që u mor jo shtrenjtë, 1.5 milionë euro.
Interi ka Gabigolin të marrë për 29.5 milionë euro. Zherson tek Roma u aktivizua vetëm së fundmi, ndërsa u mor për 16.6 milionë euro, ndërsa tek Lacio është Luis Alberto marrë për 5 milionë euro nga Liverpuli. Tek Atalanta Gasperinit, skuadra e mrekullive të Serisë A këtë sezon, nuk ka vend një sulmues i njohur si Alberto Paloski që u ble për 7.5 milionë euro nga Suonsi në Premier Ligë.