Edhe pse vend i vogël, ambiciet janë të mëdha. Kroacia e futbollit kujton lavdinë e Kupave të Botës 1998 e 2018, ndërsa ëndërron të jetë gjithnjë në tryezën e të mëdhenjve. Pas gjysmëfinales së arritur në Francë, dhe finales në Rusi tre vjet më parë, kombëtarja ballkanase korri një tjetër sukses. U kualifikua për në raundin e dytë në Kampionatin Europian pas fitores 3-1 në Gllazgou ndaj Skocisë, me një paraqitje që ishte krejt ndryshe nga ajo e ndeshjeve me Anglinë e Çekinë.
A mund të thuhet se kroatët janë kthyer të frikshëm si në Rusi në 2018? Tifozët janë të bindur ndërsa dogjën Zagrebin, Rijekën, Splitin apo qytetet e tjerë të Kroacisë duke festuar deri natën vonë. Ata komentuan duke qenë në qiellin e shtatë dhe pa i vënë fre imagjinatës, edhe pse sfida e radhës duhet të jetë e vështirë. Në Frankfurt, euforia e kroatëve përfshiu edhe policinë gjermane që nisi të festonte me ta, siç e tregon ky filmim me celular. Jo më pak euforike mediat kroate.
“Sportske Novosti” brohoret: Të zjarrtët në të tetat e finaleve! Vlashiç, Modriç dhe Perishiç hodhën nokaut Skocinë! Kroacia ndaj skocezëve luajti si në ditët më të mira!
E përditshmja “24 orë” titullon me foton e Luka Modriçit duke festuar golin e tij: Fitore e zemrave më të forta! Marshojmë përpara!
“Të lumtë kapiten, – është një tjetër koment për Modriçin, – Luka sërish na udhëhoqi drejt lavdisë! Fitore që fshin çdo të keqe, tani kartat janë përzier përsëri!
Luka Modriç shënoi një tjetër gol të madh, dhe trajneri Zllatko Daliç ka veç mburrje. “Asnjë prej nesh nuk e ka të qartë sesi ia del Luka, – tha ai, – Ai nuk lodhet asnjëherë. Çfarëdo që të them për të, nuk është e mjaftueshme, prandaj ua lë juve, gazetarëve, që të shkruani për këtë”. Vetë Modriç theksoi lidhjen me fanelën e kombëtares.
“Kjo ka shumë rëndës për mua, – tha Modriç, – është diçka e ndryshme kur luaj për Kroacinë në krahasim me ndeshjet e tjera. Patëm nevojë për një ndeshje të tillë, dhe jemi të lumtur që realizuam objektivin. Po i afrohemi formës që patëm në Kupën e Botës”. Modriç ishte lideri i Kroacisë në Kupën e Botës 2018, dhe tifozët shpresojnë që sërish të jetë në ato nivele siç ishte në Rusi.
Sfidanti.al