Reali po rrëzohet nga “pesha” e 250 milionë eurove për Hazarin!

Tek Çelsi ishte një kënaqësi ta shikoje, ndonëse edhe atëherë krijonte dyshime. Eden Hazar ishte “primadona” e Bluve të Zhoze Murinjos me të cilët doli kampion në 2015, po ashtu edhe në 2017 me Antonio Konten, por që kur kaloi tek Reali në 2019 nuk është më ai i pari. Dëmtime të shumta kanë ndikuar në formën e tij, ndërsa ka luajtur shumë pak ndeshje për madrilenët. Në klub kanë nisur të dyshojnë seriozisht për investimin e jashtëzakonshëm, që mund të krahasohet vetëm me atë që u bë për Kristiano Ronaldon, e deri diku për Garet Bejlin. Reali shpenzoi direkt 100 milionë euro për kartonin, ndërsa këtyre parave u shtohen “variable” të ndryshëm, që mund të jenë 30 apo 50 milionë euro. Po ashtu, rroga bruto e belgut është 30 milionë euro në sezon (bashkë me taksat që i paguan klubi), dhe atij i mbeten edhe 3 vjet kontratë. Së fundmi, vetë Hazar ka deklaruar se “kam dëmtuar 3 herë gjurin dhe nuk mund të jem ai që kam qenë”. Reali ka të drejtë që është tepër i shqetësuar.

Sfidanti.al