Kriza e Spanjës godet Realin, a do të shiten yjet e madrilenëve?!

Reali i Madridit ka qenë gjithnjë simboli i përparimit më të madh në futboll dhe presidenti Florentino Perez dëshironte që të vazhdonte të ishte kështu. Klubi pati plane të mëdha për të rinovuar “Santiago Bernabeun”, për ta pajisur atë me një çati të lëvizshme tepër moderne.

Për këtë qëllim, Reali ishte pranë një marrëveshjeje me kompaninë spanjolle të naftës dhe gazit, Cepsa, një shoqëri shumëkombëshe. Gjithsesi, Cepsa e gjykoi jo të justifikuar që të shpenzonte 400 milionë euro për t’ia dhënë Madridit, në këmbim të emrit të saj që do t’i vihej “Bernabeut” për një periudhë të caktuar kohe.

Tërheqja e kompanisë i ka vënë në hall të madh drejtuesit madrilenë. Presidenti Perez dhe shefat e departamenteve përkatëse duhet të mendojnë një zgjidhje, ose për ndryshe do të duhet të shiten lojtarë të skuadrës së parë për të financuar rinovimin e stadiumit, por edhe blerjen e yjeve të tij. Reali ka plane për Hazarin, Kejnin apo Nejmarin, për të cilët do të duhen mbi 500-600 milionë euro. Besohet se mund të largohet Isko, por edhe të tjerë.

Sfidanti.al