Do të ishte kampionati i pestë i fituar në karrierë, diçka që do ta rendiste mes trajnerëve vërtet të suksesshëm në të gjitha kohët. Antonio Konte po i afrohet triumfit të parë me Interin në Serinë A, pasi ia doli tri herë me Juventusin si dhe një herë në Premier Ligë me Çelsin. Fitorja në Bolonjë, edhe pse aspak spektakolare, sërish ishte e rëndësishme sepse ishte e 9-ta radhazi në kampionat, një ritëm që e ka lënë Milanin 8 pikë prapa dhe që mund ta lerë 11 nëse fitohet në mesjavë ndeshja e prapambetur me Sasuolon.
Një përqafim i madh ndodhi pas golit të Romelu Lukakut në 31’, rrjeta numër 20 e belgut në kampionat. Përqafimi ishte tepër i gjatë mes Kontes dhe Lele Orialit. A mund të quhet ky përqafimi i titullit? “Jo, ende nuk është i tillë, – përgjigjet Konte, – por, e shohim titullin më pranë se të tjerët. Ende ka shumë garë, ka shumë rrugë për të bërë. Po ndërtojmë diçka të rëndësishme. Vjet ishim pranë trofeut me finalen e Ligës së Europës. Këtë sezon jemi shumë më gati”. Konte vlerëson Bolonjën e Sinisha Mihajloviçit, ndërsa thotë se Interi e thirri pikërisht për të ndryshuar historinë e kohëve të fundit. Objektivi ishte të arrihej suksesi në 3 vjet, mesa duket po arrihet në dy.
Sfidanti.al