Krenaria baske kishte më shumë se tri dekada që priste, edhe pse ishte kënaqur me Bilbaon. Gjithsesi, populli pranë Pirenejve ka edhe skuadra të tjera që e përfaqësojnë, dhe një e tillë është Sociedadi i qytetit San Sebastian, dhe që mbreti spanjoll i ka dhënë epitetin Real. Me një vendim vërtet për t’u përshëndetur, në Spanjë u luajt finalja e vjetshme e Kupës, që nuk qe në gjendje të mbahej për shkak të koronavirusit, dhe ajo ishte e gjitha baske. Real Sociedad fitoi më në fund 1-0 ndaj Atletikut të Bilbaos me gol të shënuar nga Ojarzabal në minutën e 63-të me penallti. Bilbao do të ketë një tjetër shans pasi do të luajë finalen e këtij viti ndaj Barcelonës.
Sa për Sociedadin, përsëriti trimërinë e 1987-ës kur në fushë ishin disa emra imponues si Arkonada, Lopez Rekarte, Zamora, Lopez Ufarte, Bakero, Kiki dhe Begiristain. Sociedadi ka 3 kupa në histori, ndërsa ka edhe dy tituj kampion në Spanjë, dhe ky sezon ka qenë vërtet i mirë me ardhjen e David Silvës nga Mançester Siti.
Atletik Bilbao: Unai Simon; De Markos, Jerai, Ínjigo Martinez, Juri (Kapa 93’); Berenger (Vijalibre 76’), Dani Garsia (Vesga 76’), Vensedor (Unai Lopez 68’), Muniain, Raul Garsia, Uilliams.
Real Sociedad: Remiro; Gorosabel (Aritz Elustondo 93’), Zubeldia, Le Normand, Monreal; Zubimendi, David Silva (Gevara 85’), Merino, Portu (Barreneçea 88’), Isak (Karlos Fernandez 88’), Ojarzabal.
Gol: 0-1 Ojarzabal (p) 63′.
Sfidanti.al