Pavarësisht “bombave” të CR7-ës e VAR-it, kjo Juve nuk di të qeshë

Kur je në garë me një skuadër të Antonio Kontes nuk mund të të bëjnë punë 4 fitore në 8 ndeshje, aq më tepër kur humbet dy. Juventusi i këtij sezoni është pikërisht ky që po shihet këto kohë, që hera-herës ngec duke lënë pikë rrugës siç bëri edhe në derbin me Torinon. Përfundimi 2-2 dhe fitorja interiste në Bolonjë, bënë që diferenca me kreun të rritet në 12 pikë, me të njëjtin numër ndeshjesh të luajtur. Kualifikimi në Champions është tepër i rrezikuar sepse nuk ka asnjë garanci që mund të kalohen Milani e Atalanta, dhe që nuk do të kryhet parakalimi nga Napoli.

Juventusi i Pirlos po vuan pavarësisht se Kristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë në librin e historisë. Portugezi shënoi golin e barazimit, ndihmuar nga VAR-i dhe barazoi mitin Romario në kuotën e 772 golave në karrierë. Pasi kaloi më herët Pelenë, CR7-ës i mbetet vetëm çeku Jozef Bican që ka 805. Mund ta mbërrijë sezonin e ardhshëm. Kampionia e Italisë duhet të falenderojë VAR-in edhe për mosakordimin e penalltisë pas ndërhyrjes së De Ligtit ndaj Belotit. Pamjet me ngadalësim tregojnë se ishte 11-metërsh, por gjyqtari nuk e dha dhe as teknologjia nuk ndërhyri. Në tërësi gjatë lojës, portieri i Torinos, Sirigu, ishte më i miri në fushë dhe padyshim që kjo tregon se Juventusi krijoi dhe pati epërsi, por nuk mjaftoi për fitoren. “Kemi probleme përqëndrimi, – tha Pirlo, pa shpjeguar se përse ndodh kjo gjë, – nuk mund të shpërqëndrohemi në asnjë moment, sepse sa herë humbim topin, pësojmë gol”.

Sfidanti.al