Nuk pati problem për të ardhur fitorja e dytë radhazi. Partizani mundi 2-0 Luftëtarin në “Selman Stërmasi” dhe trajneri Iuliano mund të thotë se për të kanë ardhur ditët e bardha, veçse një shqetësim e ka. Tifozët sërish i dolën kundër skuadrës, të paktën Guerrilsat, duke nxjerrë në stadium një parullë ku kritikoheshin lojtarët. “Nëse doni duartrokitje me zemër e pasion/mos e kërkoni te një fitore që fati ta dhuron/jepni zemrën në fushë ashtu si ne në tribunë/i vetmi kusht që të ecim në të njëjtën rrugë”. Këto ishin vargjet që goditën po aq fort sa golat e shënuar nga Xhevahir Sukaj Lorenc Trashi, të njëjtët që realizuan edhe në Durrës.
Partizani u ngjit në kuotën e 8 pikëve, vetëm 1 pikë larg vendit të tretë, ndërsa Skënderbeu e Kukësi për momentin janë larg, përkatësisht me 16 e 13 pikë. Gjithsesi, ndryshe nga ndeshja në fushën e Teutës, Partizani këtë herë nuk e vuri në diskutim fitoren, duke shënuar jo vetëm golat, nga një në çdo pjesë, por edhe duke luftuar më shumë dhe duke qenë më lart se një ekip që vazhdon të konsiderohet i fortë, si Luftëtari i Gjirokastrës. Përsa i përket tifozëve, ata e kanë dhënë paralajmërimin e tyre. Shpresohet që Partizani të mos shkojë në rrugën e Tiranës, të cilën e braktisën tifozët në gjysmën e dytë të kampionatit të vjetshëm.
Sfidanti.al