Tirana arriti një fitore tepër të rëndësishme në javën e 17-të të Superligës, duke marrë tri pikë në fushën e Laçit. Skuadra e drejtuar nga trajneri i përkohshëm, Emanuel Egbo, ia doli duke përmbur rezultatin, në një fushë që tradicionalisht ka qenë shumë e vështirë për të.
Vendasit kaluan në epërsi me golin e shënuar nga mbrojtësi Ignjatoviç, por tiranasit u përgjigjën shpejt. Futbollisti i ri, Ernest Muçi barazoi rezultatin dy minuta më vonë. Edhe goli i fitores për kryeqytetasit u shënua nga Muçi, 12 minuta para fundit. Me këtë sukses, Tirana u ngjit në kuotën e 28 pikëve duke qenë pretendente serioze për titullin kampion. Ndeshja u luajt në kushte të rënduara atmosferike, dhe në një fushë të vështirë, por gjithsesi nuk u ndërpre si ajo në Vlorë. Ky ishte suksesi i tretë radhazi për bardheblutë, pas atyre ndaj Partizanit e Flamurtarit.
Në duelin tjetër të javës së 17-të të Superligës, Bylisi fitoi minimalisht ndaj Luftëtarit në Ballsh. Skuadra nga Mallakastra mori tri pikë falë golit të shënuar nga Guindo dhe tani ka 30 pikë në renditje. Në Vlorë, ndërkaq, nuk u arrit të luhej pasi kushtet e motit nuk e lejuan diçka të tillë. Gjyqtari e ndërpreu ndeshjen pas vetëm 8 minutave, sepse ishte e pamundur në kushtet e fushës. U vendos që ndeshja të provohet të luhet të hënën orën 12:00.
Sfidanti.al