Pretendentët kryesorë për titull mund të cilësohen të tjerë, por ai nuk mbetet kurrë “prapa liste”. Përkundrazi, Xhejms Harden është numri 1 i NBA-së edhe këtë sezon për pikët e shënuara, ndërsa po shkëlqen me asistet dhe me paraqitjet e tij. Ylli i Hjustonit shënoi 47 pikë në vetëm 34 minuta në parket, në suksesin 139-125 në fushën e Feniksit. “Mjekra” pati 9 gjuajtje të sakta për tri pikë, ndërsa kapi 6 topa në tabela e shërbeu 7 asistë. Mesatarja e tij e realizimit, për më tepër, ishte shumë e mirë.
Harden ka mesataren 38.5 pikë për ndeshje, duke qenë më i miri deri tani dhe vështirë i arritshëm. Ai ka shënuar gjithsej 1 124 pikë në 29 ndeshje, sasia më e madhe që nga sezoni 1966-1967, kur Rik Berri arriti në 1 134. Në renditjen e asisteve këtë vit, Harden është i 8-ti me 7.5 për ndeshje, ndërsa në vend të parë është Lebron Xhejms me 10.6. Me paraqitjen ndaj Feniksit, Harden kaloi Elgin Bejlërin, në vendin e katërt të renditjes së lojtarëve që kanë më shumë ndeshje me 40 pikë të paktën në histori. Ai ka 89 ndeshje, duke qenë prapa Uilt Çembërlenit (271), Majkëll Xhordanit (173) dhe Kobi Brajantit (122).
Sfidanti.al